Qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova beson se Ballkani mund të kualifikohet në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Të martën prej orës 18:00, Ballkani e luan ndeshjen e kthimit kundër Zhalgirisit të Lituanisë. Ndeshja e parë në Prishtinë ka përfunduar 1:1, andaj gjithçka do të vendoset në përballjen e së martës në Vilnius.
“Atmosfera është fantastike, duke marrë parasysh kompeticionin në të cilin luajmë dhe përgatitjen që ka bërë klubi për të shkuar gjithçka mirë. Dhe deri më tani ka qenë gjithçka mirë. Duke u bazuar në formën dhe cilësinë e skuadrës, besoj që do të kalojmë në raundin e dytë të kësaj gare dhe të kthehemi triumfues nga Lituania”, u shpreh Dellova.
Ai thekson se Ballkani i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe ka analizuar mirë kundërshtarin.
“Janë marrë të gjitha masat nga ana e stafit dhe lojtarëve dhe besoj që kemi bërë përgatitjet e nevojshme për ndeshjen ndaj Zhalgirisit. E njohim kundërshtarin pasi kemi luajtur në Prishtinë ndaj tij dhe jemi të gatshëm maksimalisht. Kemi analizuar dhe e dimë shumë mirë se si do të qasemi”, shtoi Dellova.
Mbrojtësi kosovar megjithatë e pranon se ndeshja nuk do të jetë e lehtë.
“Duke u bazuar në atë që kundërshtarin e nxjerrin favorit të gjithë, do të jetë vështirë. Por do të japim gjithçka nga vetja që të fitojmë në mënyrë që të lehtësojmë punën në vazhdim të kësaj gare”, tha Dellova.
Ballkani po paraqitet për herë të parë në garat evropiane.