Dënimi me 2 vjet burgim, SPAK shpall në kërkim ndërkombëtar Llallën

Dënimi me 2 vjet burgim, SPAK shpall në kërkim ndërkombëtar Llallën

Nga kjo e premte ish-Prokurori i Përgjithshëm në Shqipëri, Adriatik Llalla, është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ai do të kërkohet ndërkombëtarisht për t’u prangosur me qëllim vuajtjen e dënimit me dy vite burgim dhënë për të nga Apeli i Gjykatës së Posaçme.

Burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, konfirmuan përfundimin e procedurës ligjore për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-kryeprokurorit të fajësuar për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Më herët Policia e Shtetit i komunikoi Prokurorisë së Posaçme se kërkimi dyjavor i Llallës në Shqipëri kishte rezultuar negativ.

Ai u kërkua në territorin e vendit, ndonëse sipas sistemit TIMS ishte larguar nga Rinasi disa ditë para shpalljes së vendimit nga gjykata.

Sipas burimeve, prokurorët e SPAK-it plotësuan më tej formularin e shpalljes në kërkim ndërkombëtar, që përmban gjeneralitetet e Llallës dhe çdo të dhënë të vlefshme për identifikimin e tij, të dhënat për vendimin gjyqësor, si edhe deklarimin se ky person kërkohet për qëllime ekstradimi.

Ky formular iu përcoll nga SPAK zyrës së Interpolit për komunikimin ndërkombëtar të urdhrit. Pas kësaj procedure, pritet të emri i Llallës të listohet tek kategoria “Wanted” në faqen e Interpol në internet./Gazeta Enigma/.

Related Articles