Dënohet me gjashtë muaj burgim mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetes Ganimete Musliu

Dënohet me gjashtë muaj burgim mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetes Ganimete Musliu

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Maloku, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu.

Aktgjykmi ndaj të akuzuarit Maloku, u shpall të hënën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Berisha tha se dënimi me burgim ndaj Malokut, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit.

Dënimi me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

I akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogariten nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktmave të krimit.

E dëmtuara Ganimete Musliu, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, në seancën e 4 gushtit 2023, i akuzuari Maloku nga Prishtina, me vendbanim në Zvicër, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 maj 2023, thuhet se më 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, Aje tu ma kry qat pun me shti qat personin ne pun per qka je pagu a po i kthen qato 20,000.00 euro qe mi ke mar për me kry pun”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.

Me këtë, i akuzuari Maloku ngarkohej se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dënimi maksimal për këtë vepër penale parashihet pesë vite burgim.

Related Articles