Kosova, si shumë vende të Ballkanit, ka vite që po përballet me problemet e shkaktuara nga deponitë ilegale të mbeturinave.
Ato i sheh në çdo cep të çdo qyteti, fshati apo çdo zone tjetër.
Sipas vlerësimit të bërë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), gjatë vitit 2020, në nivel të Kosovës janë regjistruar gjithsej 1490 deponi ilegale të përmasave të ndryshme në 38 komuna, ndërsa kategoria e deponive të mëdha dominon në 43%.
Sipas tyre, numri më i madh i deponive ilegale ishte regjistruar në rajonin e Gjilanit me 325 deponi ilegale, ndërsa më së paku janë regjistruar në rajonin e Gjakovës me 60 prej tyre. Me kalimin e viteve, këto statistika kanë ndërruar dhe në vitin 2023 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar 187 deponi të mbeturinave të egra, më së shumti në krahasim me 6 rajonet e tjera, ndërkaq rajoni i Gjakovës ka mbetur sërish rajoni me më së paku deponi të tilla, me rreth 30.
Foto e deponive ilegale në Gjilan
Numri i deponive është dhe më i lartë, por që nuk ka statistika zyrtare për këtë.
E për t’i identifikuar ato, ju mund të bëheni pjesë e hetimit duke dërguar foto të zonave ku shihni deponitë ilegale, si dhe duke na treguar zonën ku ndodhen. Nëse kaloni shumë kohë në natyrë, atëherë do të na duhen vëzhgimet tuaja të dokumentuara nga telefonat tuaj. Qëndroni të sintonizuar dhe kushtojini vëmendje.
Foto: Deponi ilegale në Prishtinë
Gazeta Enigma, së bashku me mediat tjera nga rajoni, do të krijojnë një hartë interaktive të deponive ilegale në Kosovë dhe rajon, e cila do të ofrojë një imazh të pjesshëm të problemit me të cilin po përballemi.
Harta mund të përdoret më pas nga autoritetet lokale, apo qytetarët, për të ndjekur hapat e mëtejshëm në heqjen e tyre dhe mbrojtjen e natyrës.
Deponitë ilegale prekin jo vetëm mjedisin por edhe shëndetin tonë, prandaj vetëm duke bashkuar forcat ne mund të formojmë mekanizma për t’i eliminuar nga rrethi ku jetojmë.