Rizvanolli bojkoton raportimin për grevën në “Trepçë”, përplasen pushteti e opozita

Rizvanolli bojkoton raportimin për grevën në “Trepçë”, përplasen pushteti e opozita

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli nuk është paraqitur për raportim në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”.

Mimoza Kusari-Lila nga LVV ka propozuar që të bëjnë një takim me përfaqësuesit sindikal. Ajo ka thënë se janë në Kuvend kryetari i sindikatës, Ibrahim Januzi së bashku me 8 përfaqësues me ta.

Por kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka thënë se në rend të ditës e kanë raportimin e ministres dhe se ajo nuk ka pranuar që të jetë pjesë në këtë mbledhje duke thënë se është në udhëtim zyrtar.

Shala ka thënë se kërkesa ka qenë fillimisht të dëgjojmë ministren dhe ajo të ju tregojë se pse minatorëve po u vonohen pagat, pse nuk u po paguhet trusti, pse po suspendohen sindikalistët.

“Urgjentisht Qeveria të ndalë masat represive ndaj minatorëve të Trepçës”, ka bërë thirrje ai.

Ai ka thënë se është dakord që të dëgjojë sindikalistët dhe ka hapur debatin në Komision, raporton Koha.

Por Kusari-Lila ka kërkuar që të dëgjohen sindikalistët pasi sipas saj jo të gjitha kërkesat e tyre janë të ligjshme.

Shala e ka quajtur Kusari-Lilën zëdhënëse të Qeverisë, duke thënë se këto kanë dashur t’i dëgjojmë nga ministrja.

Edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka thënë se ministrja edhe sikur të ishte jashtë vendit do të duhej të ndërpriste vizitën dhe të vinte dhe t’i takonte minatorët. Sipas tij, ndërmarrja është buzë falimentimit dhe kjo shkaku i politizimit të bordit nga ana e pushtetit.

“Minatorët kërkojnë zgjidhje që janë elementare. Një kryeshef që nuk qanë kokën për minatorët pse duhet të jetë”, ka thënë ai. Sipas tij, ministrja do të duhej patjetër të vinte dhe të raportonte për një zgjidhje.

Ka thënë se kjo Qeveri e ka jetëgjatësinë duke krijuar kriza e jo duke i zgjidhur probleme.

Edhe deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, ka akuzuar deputetët e LVV-së se po tentojnë të përçajnë sindikatën pasi sipas saj nuk është njoftuar Komisioni.

Related Articles