“Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemit kundërajror të sofistikuar kinez. Kjo dërgesë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon”, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës, teksa rekomandojnë që edhe Forca e Sigurisë së Kosovës të armatoset.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se ka një kohë të gjatë që Serbia është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të armatimit dhe kjo është sinjal i keq për regjionin.
Tutje, ish-drejtori i Policisë tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë të pajiset me armatim modern, duke përmendur mosreagimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Ka një kohë të gjatë që Serbia po furnizohet me lloje të ndryshme të armatimit. Fillimisht është furnizuar me armatim nga shteti rus. Shpesh herë duke marrë falas këto pjesë të armatimit por edhe duke i blerë. Realisht kemi parë një dërgesë që ka ardhur gjysmë sekret nga Kina me sistem të mbrojtjes kundër ajrore. Mirëpo Serbia ka paralajmëruar edhe blerjen e aeroplanëve të ndryshëm edhe nga disa shtete Franca dhe Britania”.
“Dhe unë mendoj që armatosja e Serbisë është një sinjal mjaft i keq për regjionin. Këto nuk janë armë mbrojtje, por sulmi. Bashkësia ndërkombëtar nuk është duke reaguar fare në raport me Serbinë. Unë mendoj që Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të pajiset me armatim modern. Me sisteme mbrojtje meqenëse ne kemi nevojë që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë sa më e armatosur dhe e përgatitur dhe duhet të kërkojmë ndihmë nga partner tanë strategjik për t’u armatosur Kosova”, tha Qalaj.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha theksoi se Kosova nuk ka nevojë të frikësohet, por të armatoset edhe pse thotë se funksionojnë të gjitha institucionet e sigurisë në vend.
“Ka kohë që Serbia fuqizohet ushtarakisht. Kjo është pjesë e një plani të mëhershëm e ka vazhduar deri në ditët e sotme. Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi, por duhet të armatosemi dhe nuk ka rrezik rajoni nga Serbia, por Kosova sepse dihet qysh e kemi pasur historinë”.
“Ne mbetet vetëm të armatosemi dhe me pas prioritet punës e veriut. KFOR-i është këtu, ne kemi ushtrinë e Kosovës, Policinë dhe të gjitha institucionet funksionojnë. Por kur armiku armatoset ajo i bie që duhet të armatosemi edhe ne”, tha Berisha.