Deputetët kërkojnë sqarime, ARKEP arsyeton IPKO-n për mesazhet e mirëseardhjes në Serbi

Deputetët kërkojnë sqarime, ARKEP arsyeton IPKO-n për mesazhet e mirëseardhjes në Serbi

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të enjten vizitoi ARKEP-in për të marrë më shumë informacione sa i përket mesazheve që operatori IPKO u ka dërguar klientëve të vet në pjesë të caktuara të Kosovës, e ku u urohej mirëseardhje në Serbi.

Me këtë rast, deputetët kërkuan nga ARKEP që ta mbikëqyrë MTS që të mos interferojë tek operatorët tjerë.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, tha se ky problem ka qenë teknik si rezultat i marrëveshjes së roaming-ut mes operatorëve IPKO dhe Telekom Serbija.

Ai bëri të ditur se me të lexuar lajmin në media menjëherë kanë kontaktuar IPKO-n për të marrë sqarime për atë që ka ndodhur, teksa shtoi se IPKO e ka zgjidhur brenda ditës këtë çështje.

“Ai tekst ka qenë si shenjë identifikimi që konsumatori ka hyrë në një zonë roaming (ndërkombëtar)… Në momentin që e kemi marrë informatën ne kemi komunikuar menjëherë, brenda ditës, me IPKO-n dhe kemi kërkuar sqarime për këtë çështje. Ata brenda ditës, po atë ditë kur është publiku lajmi, na kanë informu që e kanë rregullu.

Këtë e kanë konfirmu edhe me shkrim, edhe gojarisht. Megjithatë, ne si ARKEP që të nesërmen kemi organizuar monitorim të MTS-it në pjesët ku është shfaqur kjo dukuri dhe në disa pika tjera[…]Pastaj ne si ARKEP kemi mbajtur një takim si bord dhe kemi kërkuar nga MTS dhe IPKO, dhe kemi marrë përgjigje që kjo ka ndodhur si çështje e marrëveshjes së roming-ut. Stacioni bazë i cili ka dhënë sinjalin për telefoninë mobile nuk është programuar në atë mënyrë që të ndalë dërgimin e sms-ve dhe ky problem është eliminuar menjëherë”, tha ai.

Në rast se kjo dukuri përsëritet edhe njëherë, Rahimi tha se do të sanksionojnë të dy operatorët.

“Ne kemi marrë prej tyre përgjigjet dhe do t’iu shqiptojmë vërejtje me shkrim të dy operatorëve që në rast se një dukuri e tillë përsëritet me automatizëm ne do t’i sanksionojmë”, shtoi ai.

Deputetët pyetën sesi ka mundur një operator MTS të dërgojë mesazhe të tilla ‘mirëseardhje në Serbi’, tek qytetarët që posedojnë numra të operatorit IPKO.

Lidhur me këtë anëtarja e bordit, Rrezarta Duraku Rizaj, bëri të ditur se mesazhet janë dërguar nga IPKO dhe jo nga MTS, për shkak që numrat e IPKO-s atë ditë janë lidhur automatikisht me roaming të Telekomit të Serbisë si rezultat i marrëveshjes për roaming mes këtyre dy palëve.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari pyeti se pse MTS aktivizohet menjëherë dhe jo Vala.

Ajo pyeti anëtarët e bordit të ARKEP se a janë të sigurt se nuk ka denominim në marrëveshjen e IPKO-s me Telekomin e Serbisë. Një gjë të tillë e mohoi kryetari i bordit, Nazim Rahimi.

Related Articles