Deputeti i Vetvendosjes, Halil Thaçi ka reaguar sa i përket punësimeve në KEK, ku tha se asnjëherë më parë nuk janë punësuar më shumë persona nga Obiliqi.
Thaçi ka thënë se ai nuk ka pasur ndikim në punësimet në KEK.
“Ta keni parasysh se mentaliteti që një deputet ka ndikim në ndërmarrjet publike kanë përfunduar me 14 shkurt 2021. Ai mentalitet i takon qeverisë së kaluar. Gjithë kjo zhurmë dhe gjithë kjo piskamë që po bëhet për 120 të rijnë që janë punësuar në KEK, po bëhet për të mbuluar suksesin e Qeverisë Kurti për bllokimin e zgjedhjeve serbe”.
Deputeti i LVV-së thotë se nuk ka ndonjë familjarë të punësuar në KEK, por sipas tij me mbiemrin e tij ka shumë të punësuar.
“Nga paslufta, asnjëherë nuk janë punësuar më shumë persona të Obiliqit se tani. Kanë ardhur nga Drenica e Mitrovica, e nga gjithë Kosova dhe janë punësuar afër oborreve të qytetarëve të Obiliqit, derisa banorët e këtij vendi nuk kanë pasur mundësinë të punësohen”.
Thaçi thotë se në të kaluarën banorëve iu është kërkuar shuma prej 10 apo 15 mijë eurove për t’u punësuar në KEK.
Deputeti i LVV-së thotë se në listën e të punësuarve në KEK ka nënkryetarë të degëve të LDK-së e PDK-së.
“Edhe ata janë banorë të komunës së Obiliqit. Unë jam i lumtur që këta janë banorë të Komunës së Obiliqit. Unë do t’i mbrojë edhe anëtarët e LDK-së e PDK-së që janë nga Obiliqi. Më thuani një familje në Obiliq që nuk ka anëtarë të familjes pa kancer”, deklaroi Thaçi.