Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues, pasi në seancën plenare të 22 shkurtit, për shkak të mospjesëmarrjes në votim të deputetit Eman Rrahmani, i cili vjen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Votimi për këtë legjislacion u shty për një seancë tjetër.
Për herë të tretë radhazi, pushteti tentoi që të votojë amendamentet e propozuara nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se një deputet nga shumica parlamentare qëllimshëm nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e ligjit.
Konjufca tha se nuk do t’i gjykojnë deputetët për votimin ose jo të këtij projektligji.
“Deputetët e kanë shpjeguar secili pozicionin e vet, s’kemi nevojë t’i gjykojmë fare. Këto janë përcaktime të lira, si të duan deputetët. Teknikisht pse nuk po mund të votojmë edhe pse jemi në 60 deputetë, është kjo. E provojmë edhe herën e tretë dhe nëse nuk funksionon e lëmë këtu, nuk ka asgjë të veçantë, na ka ndodhur plotë herë”, tha Konjufca.
Në votim nuk morën pjesë as deputetët e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj.
Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.
Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.
Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.
Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF-në në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro. /REL