Deputeti i Vetëvendosjes tregon se cila është rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje në komunat e Veriut të Kosovës

Deputeti i Vetëvendosjes tregon se cila është rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje në komunat e Veriut të Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar sot se mënyra e duhur për shpalljen e zgjedhjeve në veri është përmes peticionit.

Ai ka theksuar se vetëm kur 20% e elektoratit të shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual jepet dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesmarrjes.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual” tha sot Kurti.

Ndërsa Ministria e Pushtetit Lokal ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Se duhet te shkohet në zgjedhje të reja në veri përmes peticionit po e thotë edhe Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, Adnan Rrustemi.

Rrustemi në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se edhe Udhëzimi Administrativ që ka filluar të hartohet nga MAPL ka synim që të përcaktojë rregullat dhe procedurat e realizimit të një kërkese të qytetarëve në formë të peticionit.

“Çdo kërkesë e qytetarëve e mbështetur përmes nënshkrimeve ka karakterin e peticionit. Edhe Udhezimi Administrativ për të cilin ka filluar hartimi, ka këtë synim, që të përcaktojë rregullat dhe procedurat e realizimit të një kërkese të qytetarëve në formë të peticionit. Prandaj, po, Peticioni i mbështetur nga të paktën 20% të qytetarëve e që konfirmohet me votim të së paku 50% të trupës së votuesve, është mënyra e duhur” tha Rrustemi.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit ishte pjesë e pikave të dakoorduara mes BE-së dhe Kosovës, përkatësisht Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimit me 10 korrik në Bratisllavë.

Related Articles