Deri sot deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili sapo dha dorëheqje nga kjo parti, ka kritikuar pushtetin se prioritet ka pasur çështjet që kanë sulmuar familjen tradicionale shqiptare, njofton Gazeta Enigma.
“Kjo është çështje e cila ka filluar për një kohë të gjatë. Ne kemi provuar për tri vite që kjo çështje të zgjidhet dhe të ketë dakordim. Të tërhiqen nga këto tema. Kjo veç ka ardhë duke u rëndu – mbas kodit civil ka ardhur çështja e fertilizimit, mbas fertilizimit ka ardhur çështja e gjendjes civile – e cila veç se e ka rënduar procesin në të cilin ne besojmë dhe vlerat të cilat ne i besojmë”, tha Rrahmani në një konferencë për media, teksa njoftoi dorëheqjen e tij nga partia në pushtet, bashkë me deputetin tjetër Visar Korenica.
“Unë në Vetëvendosje kam shkuar me qëllim të luftimit të krimit, nepotizimit, korrupsionit, zhvillimit të arsimit, zhvillimit të shëndetësisë, ekonomisë e të gjitha këtyre dhe nuk ju kam kërku asnjë garancion sepse kam besu në atë premtim dhe në atë vizion politik. Procesi në vazhdimësi ka dëshmu që para të gjitha këtyre kanë ardhur prioritet çështjet të cilat e sulmojnë familjen tradicionale”, deklaroi Rrahmani.
Ai tha se dyshja iu janë bashkuar AKR-së dhe Partisë së Drejtësisë, ndryshe me emrin “Lista për Familjen”, me qëllim të “mbrojtjes së familjes tradicionale shqiptare”. /Gazeta Enigma