Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi përmes një shkrimi në Facebook ka hedhur akuza drejt kryediplomates Donika Gërvalles duke thënë se e njëjta ka lëshuar urdhër që zyrtarët dhe diplomatët e MPJD-së t’i raportojnë për çdo veprim, nga dy herë në ditë, paradite dhe pasdite, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Shoshit, Gërvalla nuk e ka kuptuar ende rolin dhe përgjegjësinë e saj si kryediplomate.
“Ka disa ditë që zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së (me urdhër të Ministres përmes Sekratarit) iu kërkohet raportim për çdo veprim, edhe atë dy herë në ditë, paradite dhe pasdite. Si duket Donika ende nuk e ka kuptuar rolin dhe përgjegjësinë e saj. Si kryediplomate nuk do të duhej të kërkonte raportim të drejtpërdrejt nga shërbyesit civil sepse hierarkinë e raportimit e përcakton Ligji për Zyrtarët Publikë dhe jo stafi politik”, shtoi ajo.
Deputetja e PDK-së tutje ka thënë se karshi veprimeve të Donika Gërvallës janë duke heshtur edhe sindikata.
“Donikës duhet t’ia kujtoj se në asnjë ministri nuk praktikohet raportim i tillë. Në vend se të kërkoj raportim të drejtpërdrejtë, do të ishte mirë që t’i takonte drejtorët e drejtorive dhe t’i dëgjonte shqetësimet e tyre rreth përshkrimit të detyrave të nëpunësve që aktualisht nuk janë të mirëfillta, e po ashtu të diskutoheshin edhe gradimet e diplomatëve, të cilat duhen bërë duke e respektuar në përpikmëri legjislacionin në fuqi. Krejt në fund, po aq shqetësuese është edhe heshtja e Sindikatës përballë kësaj tentative për të ushtruar presion ndaj zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së. Kurse, Donikës do t’i sygjeroja që fillimisht të rregullonte stafin e saj në Kabinet, i cili edhe ashtu është i mangët dhe joprofesional, e të merret me çështje më të rëndësishme për vendin se sa mikromenaxhimi i Ministrisë – detyrë kjo që nuk i takon titullarit”, ka thënë ajo.