“Der Spiegel”: Rama nuk e vuri maskën, u shoqërua në polici

“Der Spiegel”: Rama nuk e vuri maskën, u shoqërua në polici

Mediumi gjerman “Der Spiegel” ka thënë se kryeministri shqiptar, Edi Rama, është shoqëruar në polici, për shkak të mosmbajtjes së maskës.

“Der Spiegel” veprimin e Ramës për refuzimin e mbajtjes së maskës në avionin Lufthansa e ka cilësuar si skandal.

“Edi Rama shkaktoi një skandal në bordin e avionit të Lufthansas gjatë valës së katërt të koronës. Kryeministri shqiptar nuk ka dashur të mbajë maskë. Kur edhe piloti nuk arriti të zgjidhte konfliktin, erdhi policia”, ka shkruar “Spiegel”.

Tutje, në artikull thuhet se sipas pasagjerëve, kreu i qeverisë shqiptare refuzoi me shumë forcë vendosjen e maskës mbrojtëse nga COVID-19, përpara nisjes së avionit nga Frankfurti në Detroit të Amerikës.

Ndërsa, shefi i kompanisë ajrore Lufthansa, Carsten Sphor, ka përmendur incidentin, por nuk e përmendi emrin e Ramës, teksa theksoi se nuk kishte asnjë trajtim preferencial kur bëhej fjalë për detyrimin për maskë.

“Nuk kishte asnjë trajtim preferencial kur bëhej fjalë për detyrimin për të mbajtur maskë – as për një kryetar qeverie”, ka thënë ai.

Në lidhje me këto raportime, ka reaguar edhe drejtori për komunikim në kryeministri, Endri Fuga.

Fuga tha se incidenti nuk kishte në thelb vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit.

“Lajm i vjetër, për një incident që në thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit. Ndjesa e kompanisë u pranua që atë ditë”, shkroi Fuga.

Ai ka publikuar edhe një letër, ku kompania Lufthansa, sipas tij, i ka kërkuar falje kreut të qeverisë.

Related Articles