I dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e 15-vjeçarit në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, është dërguar në Gjykatën e Ferizajt.
Siç merr vesh Klankosova.tv ai është dërguar në këtë gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.
Përndryshe gjatë së premtes, rreth orës 14:40 në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka ndodhur një vrasje e një gruaje 21-vjeçare dhe është plagosur vëllai i saj 15-vjeçar.
Policia ka njoftuar se në orën 15:15 ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin V.A., 36-vjeçar.
Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri me dije se i dyshuari V.A., ishte dërguar fillimisht në mbajtje për 48 orë.
Sipas prokurorisë, dorasi dyshohet për veprën penale “vrasja”, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndërkohë 15-vjeçari, i cili mbeti i plagosur në këtë rast, është liruar nga spitali pas tretmanit mjekësor.
Në lidhje me këtë ngjarje reaguan krerët më të lartë të shtetit, duke kërkuar dënim maksimal për dorasin.