Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i 26-të në këtë çështje (me kodin 4644) do të dëshmojë për vrasjen e familjarëve të tij pas ndalimit të pretenduar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-së).
Kjo është bërë e ditur pas leximit të përmbledhjes së deklaratës së tij për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në seancën e së hënës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori tha se sipas dëshmitarit në fillim të 98-ës anëtarë të UÇK-së kanë marr me forcë dëshmitarin dhe disa anëtarë të familjes së tij nga shtëpia e tyre në fshatin ku jetonin dhe i quan në vende të ndryshe, ku i rrahën dhe i akuzuan se ishin tradhtarë dhe spiun.
Tutje tha se një nga vendet që i quan UÇK-ja dëshmitarin dhe anëtarët e familjes dhe të tjerë, sipas tij kishte qenë bazë e UÇK-së.
Po ashtu u tha se UÇK-ja e kishte liruar dëshmitarin dhe disa viktima mes natës dhe i kishte ndaluar disa të tjerët ku ishin përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij.
Më tej, prokurori tha se sipas dëshmitarit në deklaratë të tij u tha se në ditët në vijim anëtarë të familjes dhe disa viktima u gjetën të vrarë ku dëshmitari kishte pa kufomat e tyre ne të cilat kishin qenë të dukshme shenja të keqtrajtimit të rëndë.
Sipas prokurorit, dëshmitari ende vuan nga ajo që ka ndodhur dhe kërkon drejtësi.
Paraprakisht, dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi para ZPS-së në janar 2020 dhe se kishte bërë sqarime në seancën përgatitore si dhe ato kanë pasqyruar saktë dëshminë e tij.
Andaj, u pranuan si prova nga trupi gjykues deklarata e mëparshme e dëshmitarit me provat shoqëruese të saj, shënimin përgatitor me të gjitha redaktimet si dhe disa prova tjera si një vendim i gjykatës, katër fotografi dhe dy certifikata të vdekjes të lëshuara nga UNMIK-u.
Seanca në këto momente po vazhdon në sesion privat për disa pyetje.
Ndryshe, së fundmi është pranuar një viktimë tjetër që të marrë pjesë në proces gjyqësor, ku deri më tash numri total i viktimave në këtë çështje ka arritur 141.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.