Dëshmitari në rastin Mustafa: Vazhdoj të kem stres dhe energji të ulët si pasojë e keqtrajtimeve

Dëshmitari në rastin Mustafa: Vazhdoj të kem stres dhe energji të ulët si pasojë e keqtrajtimeve

Gjatë ditës së enjte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po dëgjohet dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në gjykimin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Dëshmitari në fjalë duke iu përgjigjur pyetjes së mbrojtjes së viktimave Anni Pues, se a vazhdon të mendojë për përjetimet që ai po pretendon se i ka përjetuar në Zllash, ai ka potencuar se vazhdon të ketë stres, nervozë dhe energji të ulët si pasojë e asaj që ka përjetuar në një qendër ndalimi në Zllash.

Dëshmitari i gjashtë me radhë në rastin Mustafa, i cili një ditë më parë kishte deklaruar se është keqtrajtuar nga disa persona në Zllashë, të enjten ka pretenduar se nga të njëjtit persona janë kryer krime të mëdha.

“Mos paraqitja para drejtësisë qe 22 vjet të personave për krime të ndryshme të të njëjtit lloj edhe më të mëdha që kanë ndodh, se i imi është i vogël në krahasim me ato çka kam parë unë si dëshmitar, në rastin konkret që e theksuam më herët dhe raste tjera që po shihen që janë të ditura për publikun”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit trajtimi ndaj tij nga një grup njerëzish nga të cilët ai ishte arrestuar ka qenë i padrejtë dhe i palogjikshëm.

“Unë isha arrestuar nga disa persona në momentin kur unë jam ndaluar atje më është dukur e palogjikshme për shkak që nuk e ndjeja të fajshëm veten për asgjë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur

“Ne kemi ndjerë një lloj frike të madhe për shkak se ne nuk e dinim realitetin pse po ndodh ashtu, ne nuk ishim të armatosur asnjeri prej neve, ata ishin të armatosur, nuk më ka shkuar mendja ndonjëherë t’i kundërvihem atyre, vetëm të lëmë fatin tonë në duar të tyre”, ka vazhduar ai.

Me përfundimin e pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, dëshmitari në rastin Mustafa ka vazhduar të përgjigjet pyetjeve të avokatit të Salih Mustafës, Julius von Bone.

Megjithatë shumica e përgjigjeve të dëshmitarit në pyetjet e avokatit Bone, nuk janë transmetuar për publikun pasi seanca ka vazhduar e mbyllur për audiencën.

Dëshmitari të mërkurën ishte përgjigjur pyetjeve të prokurorit të Gjykatës Speciale, Cezar Michalzuk, kështu duke potencuar se ai është keqtrajtuar nga disa persona në Zllashi, pasi është cilësuar se është spiun për arsye se ka pasur një ditar në të cilën ai vet ka mbajtur shënime.

“Më morën në mbrëmje me vete, sytë i kam pas të mbuluar por duart nuk mi kanë lidhur isha në përcjellë të dy persona edhe dy kanë qenë anash tyre, më kanë zhveshur pjesën e sipërme dhe më kanë pyetur pse kamë marrë shënime në bllokun tim”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

“Më kanë goditur në shpinë me shufër të gomës pasi më kanë cilësuar se jam spiun për arsye se kam pasur një bllok të shënimeve ku kam shënuar me stilolaps e cili në rast të ndonjë rreziku me ujë do të deformohej”, ka vazhduar ai.

Tutje dëshmitari ka potencuar se ai është rrahur për shkak të bindjeve të tij politike e assesi se pse ishte spiun.

“Pasi i kam analizuar gjërat e kam kuptuar se s’ka qenë qëllimi, ma shume ka qenë bindjeve tona politike ushtarake, shkaku i tyre, unë mendoj se ajo ka qenë, jo se në ishim spiun, s’ka pas asi sene”.

Deri më tani në Gjykatën Speciale, për rastin e Mustafës janë dëgjuar pesë dëshmitarë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Hagë si dhe Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles