Dështon gjykimi ndaj policëve që keqtrajtuan të riun në stacionin e policisë

Dështon gjykimi ndaj policëve që keqtrajtuan të riun në stacionin e policisë

Mungesa e avokatit Naim Rudari, mbrojtësit të të akuzuarit – zyrtarit policor Haris Kelmendi, ka bërë që të dështoj seanca fillestare e paraparë të mbahej ndaj tij dhe zyrtarit tjetër policor, Agon Hyseni, të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Gjykatësja e rastit, Sulltane Hoti ka bërë të ditur se mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Naim Rudari e kishte njoftuar gjykatën se do të vonohet, por përkundër pritjes, ai nuk ka prezantuar.

Gjyqtarja Hoti ka pyetur të akuzuarin Kelmendi nëse dëshiron të deklarohet pa praninë e avokatit të tij, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar.

Në këto rrethana, seanca u shty për 25 maj 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, për këtë rast, i akuzuari Kelmendi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se gjatë vitit 2018 ka keqtrajtuar fizikisht një 18 vjeçar, në stacionin policor të Prishtinës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Haris Kelmendi po akuzohet së më 26 qershor 2018 në Stacionin Policor Qendra,  në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) derisa ishte duke e trajtuar të dëmtuarin L.R lidhur me një rast si i dyshuar, gjatë procedimit të rastit i akuzuari me dashje e ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kelmendi ka keqtrajtuar të dëmtuarin Rama, në atë mënyrë që i ka shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike me formë veprimi në trupin-subjektin pasiv duke e goditur fuqishmen me shuplakë në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet.

Kurse, i akuzuari Agon Hyseni në vendin dhe datën e lartcekur po ashtu në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) gjatë procedimit të rastit, me dashje ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet zyrtare, duke keqtrajtuar të dëmtuarin Rama në atë mënyrë që duke e goditur me duar në trup (duke ia drejtuar armën zyrtare dhe duke ja futur në gojë) me fjalët se “a po të duket mirë kur po jua shtini armën personave gjatë grabitjes” si dhe gjatë kohës sa ka qenë në Stacion Policor ka lejuar me u incizuar keqtrajtimi i të dëmtuarit me çka e ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarit.

Me këto veprime ata po akuzohen se kanë  kryer veprën penale “keqtrajtimi  gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në diapozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se më 29 janar 2021, në Prishtinë, i akuzuari Kelmendi fillimisht e thërret përmes telefonit të dëmtuarin Rama duke kërkuar nga i njëjti që ta tërheq deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor, të cilën kërkesë i dëmtuari e ka refuzuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas kësaj i dëmtuari Rama ka pranuar edhe një thirrje tjetër ku i është kërkuar t’ia lehtësojë deklaratën kundër të akuzuarit, pastaj i akuzuari ka thirrur me telefon hetuesin e IPK-së Fitim Zeneli, duke u munduar që të parandaloj apo vonoj nga komunikimi i informatës hetuesit e tjerë të autorizuar, prokurorit apo gjyqtarit lidhur me kryerjen e veprës penale.

Për këtë, Kelmendi po akuzohet se ka kryer veprën penale “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Betimi për Drejtësi.

Related Articles