Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani, do të vazhdojë të jetë pjesë e Hoffenheimit. Transferimi i tij te RB Leipzigu nuk do të realizohet, pasi klubi ka shprehur shqetësime për gjendjen shëndetësore të sulmuesit nga Kosova. Nuk është bërë e ditur për çfarë shqetësimi shëndetësor bëhet fjalë.
Hoffenheimi dhe Leipzigu patën marrëveshje për 23-vjeçarin, i cili do të nënshkruante deri në vitin 2031 dhe do të kishte klauzolë largimi prej 25 milionë eurove. Në fund transferimi nuk u finalizua.
Drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, ka theksuar se mosrealizimi i këtij transferimi nuk përbën lajm të keq për klubin. Ka shtuar se janë të bindur se Asllani është në gjendje të performojë në nivelin më të lartë.
“Fisniku ka bërë një zhvillim të jashtëzakonshëm te Hoffenheimi. Që ky transferim nuk u realizua nuk është aspak një lajm i keq për ne nga ana sportive. Jemi plotësisht të bindur se Fisniku është në gjendje të performojë në nivelin më të lartë, si fizikisht ashtu edhe sportivisht. Ne i qëndrojmë pranë lojtarit tonë. Ai dha një kontribut të madh në suksesin tonë sezonin e kaluar, e ka përfunduar fazën përgatitore në nivelin që jemi mësuar prej tij dhe nga java e ardhshme do t’i bashkohet sërish stërvitjeve me ekipin”, ka thënë Schicker.
Gjatë ditës së djeshme, mediumi gjerman “Kicker” pati raportuar se Asllani veçse ka kaluar testet mjekësore. Dështimin e transferimit, mediumi e ka përshkruar “të papritur”.
