Detaje nga takimi i Osmanit me ministret nga Belgjika

Detaje nga takimi i Osmanit me ministret nga Belgjika

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe Ministren e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Sipas një njoftimi të zyrës për media të Osmanit, ajo shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.

Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-së duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media të Presidencës, në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.

Poashtu bëhet e ditur se në takim, “Osmani vuri në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas presidentes, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.

Related Articles