Të paktën 46 persona u gjetën të vdekur brenda një rimorkioje në një tentativë të supozuar për kontrabandë migrantësh në Teksasin e Jugut të hënën.
Sipas mediave të huaja, 16 të tjerë në kamion u dërguan në spitalet në San Antonio, konfirmoi shefi i policisë William McManus.
Ai tha gjithashtu se tre persona janë në paraburgim, por se nuk dihet nëse ata ishin ‘absolutisht të lidhur me këtë apo jo’.
Shkaqet e vdekjes së viktimave nuk janë konfirmuar ende, megjithëse shkaku i sugjeruar ishte nxehtësia ekstreme.
Zyrtarët thanë se të mbijetuarit kishin vuajtur nga dehidrimi dhe goditje nga nxehtësia.
“Pacientët që pamë ishin të nxehtë kur prekeshin. Ata vuanin nga goditja e nxehtësisë dhe rraskapitja”, tha shefi i zjarrfikësve Charles Hood në një konferencë shtypi.
“Nuk ka shenja uji në automjet. Ishte një rimorkio frigoriferike, por nuk kishte asnjë njësi të dukshme AC që punonte në atë platformë”, citohet të ketë shtuar ai.
Sipas zyrtarëve, nga 16 të mbijetuarit, 12 ishin të rritur dhe 4 ishin fëmijë.
Kamioni u gjet i braktisur rreth orës 18:00 (sipas kohës lokale) nga një individ që punonte aty pranë.
Shefi McManus tha se personi në fjalë ‘dëgjoi një britmë për ndihmë dhe doli për të hetuar’.
Ai tha se ai i gjeti dyert e rimorkios pjesërisht të hapura kur mbërriti.
“Gjendja e emigrantëve që kërkojnë strehim është gjithmonë një krizë humanitare”, ka thënë kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg, “Por sonte kemi të bëjmë me një tragjedi të tmerrshme njerëzore”.