Garazhi që ndodhet në katin përdhese të shtëpisë së redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, Alban Selimi, mbrëmë është përfshirë nga flakët. Këtë e ka bërë të ditur vetë gazetari Selimi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, teksa ka ngritur dyshime që zjarri të jetë vënë qëllimshëm.
“Dikush ia vuni flaken; me m’frikesu. S’ia arrijne qellimit!”, shkroi Selimi, teksa publikoi edhe pamjet nga vendi i ngjarjes.
Sinjali mëson nga burimet e veta se në momentin që shpërtheu zjarri, brenda shtëpisë ndodheshin familjarët e gazetarit, të cilët u evakuuan më pas për shkaqe sigurie.
Zjarri fillimisht u lokalizua nga disa dëshmitarë të rastit e më pas në vendin e ngjarjes dolën edhe njësitë relevante.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka marrë dëshminë e Selimit, i cili dyshon që zjarri që sipas tij u vu qëllimshëm, ka të bëjë me punën e tij në RTK.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo njësitë policore kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Zjarrvënie’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen personat e dyshuar.