Një incident ka ndodhur pasditen e të enjtes në lagjen Emshir të Prishtinës, ku një ndërtesë është përfshirë nga zjarri.
Sipas informacioneve të para, shumë banorë kanë dalë jashtë ndërtesës, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur brenda.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit, të cilët kanë interevenuar në shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e banorëve që kanë mbetur brenda.
Lajmin tashmë e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se disa persona po trajtohen nga ekipet mjekësore, si pasojë e problemeve shëndetësore që janë shkaktuar nga tymi.
“Sot rreth orës 18:40, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin.
Derisa po vazhdon evakuimi banorëve të ndërtesës, bazuar në të dhënat e deritanishme disa persona janë duke u trajtuar nga ekipet mjekësore, kryesisht probleme që janë shkaktuar nga tymi”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.