Të mërkurën, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, një aksion i Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka përfunduar me sukses në rrënimin e tri objekteve të Kazinove.
Lajmin për Gazetën “Enigma”, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Me datë 15/12/2021, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës. Informacione më të plota do të jipen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani.
“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës”
Në lidhje me këtë nëpërmjet një njoftimi, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë informacione për aksionin e së mërkurës nga Policisa e Kosovës në Karaçevë.
Ai ka thënë se është goditur një rrjet ilegal i kazinove dhe se ka të arrestuar në këtë aksion.
“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë. Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, ka deklaruar Sveçla në njoftim./Gazeta “Enigma”/