Raundi i ri i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë ka nisur sot, duke u ndërmjetësuar nga Turqia.
Sipas mediave turke, bisedimet dyditore të paqes po zhvillohen në zyrën presidenciale në Dolmabahçe, në Stamboll.
Seanca e parë për ditën filloi në orën 10:30 me orën lokale ndërsa negociatorët rusë dhe ukrainas mbërritën në Stamboll të hënën.
Përpara bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa agresioni ka hyrë në muajin e dytë.
“Ne besojmë se një paqe e drejtë nuk do të ketë humbës dhe një konflikt i zgjatur nuk është në interesin e askujt”, u tha Erdogan negociatorëve rusë dhe ukrainas.
Më herët, presidenti turk tha se bisedimet telefonike me homologët e tij ukrainas dhe rusë po vazhdojnë në një “drejtim të favorshëm”.
Para bisedimeve, kryetarët e delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë, David Arakhamia dhe Vladimir Medinsky, zhvilluan një takim kokë më kokë.
“Delegacionet po punojnë paralelisht në të gjithë spektrin e çështjeve të diskutueshme”, shkroi në Tëitter Mykhailo Podoliak, këshilltar i presidentit ukrainas dhe kryenegociatori i Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë, duke shpërndarë një foto nga takimi.
Në bisedime po merr pjesë edhe miliarderi rus Roman Abramovich.
Ndryshe, disa raunde bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës janë mbajtur në Bjellorusi deri më tani, duke përfshirë një video-konferencë më 14 mars, por pa ndonjë rezultat konkret.
Turqia më 10 mars bëri pritjen e ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas në qytetin jugor të Antalias, takimi i nivelit më të lartë të të dy palëve që nga fillimi i agresionit më 24 shkurt.
Edhe pse palët nuk arritën një marrëveshje për një armëpushim, ata ranë dakord të vazhdonin negociatat mbi konfliktin. /Gazeta Enigma/.