Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Zakonisht viktima janë vajzat e mitura të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona kryesisht të moshës madhore. Një rast i tillë është denoncuar së fundmi në Policinë në Prishtinë dhe tashmë një person është arrestuar.
Këtë herë, ngjarja u raportua nga nëna e viktimës 14-vjeçare, e cila kërkoi ndihmën e Policisë, pasi e bija ishte dhunuar nga një 22-vjeçar.
Sinjali ka mësuar se sipas informacioneve të para, e mitura ka kryer marrëdhënie seksuale për muaj të tërë me të dyshuarin, me të cilin kanë qenë në lidhje dashurie.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se vajza është rrëfyer për atë që kishte ndodhur dhe si rezultat, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Policia ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit, i cili u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.