Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë dy ditë më parë se tanimë janë mbledhur nënshkrimet e deputetëve për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, presidenten Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës, raporton Gazeta Enigma.
Mirëpo, ka dilema nëse janë siguruar nënshkrimet e nevojshme të 30 deputetëve.
Kjo për faktin se PDK dhe AAK nuk mund t’i bëjnë bashkë 30 nënshkrime.
Në anën tjetër, LDK, përmes shefit të Grupit Parlamentar, Arben Gashi ka thënë se fillimisht do t’i presin veprimet që do t’i ndërmerr Valdete Daka dhe Avokati i Popullit për këtë çështje .
Se po presin edhe disa nënshkrime e pastaj për të proceduar në Kushtetuese, e thotë edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.
I pyetur nga “Indeksonline”, se kur do ta dorëzojnë ankesën në Kushtetuese, ai ka thënë se po presin edhe disa nënshkrime të deputetëve.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Albert Krasniqi thotë se nëse LDK nuk i jep nënshkrimet nuk e dinë se ku do t’i marrin.
“Nëse Gjykata vendos që është bërë shkelje e rëndë e Kushtetutës, atëhere duhet me votu në Kuvend më 2/3 e deputetëve shkarkimin e presidentes. Por, së pari të shohim a i kanë bërë nënshkrimet, sepse më sa di unë nuk i kanë 30. Nëse nuk i jep LDK nuk di ku i marrin”, tha ai.
Se si do të vendoste Gjykata, Krasniqi ka thënë se është herët të parashikohet, sepse është herët me vlerësu dhe krejtë varët se si do ta arsyetojnë.
Ndërpreja e mandatit të Valdete Dakës si kryetare e KQZ-së nga ana e Vjosa Osmanit kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik./Gazeta Enigma/