Disa shkolla fillojnë mësimin, Jasharaj: Uroj që këto vendime të ndodhin pa presione

Disa shkolla fillojnë mësimin, Jasharaj: Uroj që këto vendime të ndodhin pa presione

Që nga 25 gushti mësimdhënësit në Kosovë janë në grevë të përcaktuar nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), me kryetar Rrahman Jasharaj.

Rrahman Jasharaj në një prononcim për “Enigmën” u shpreh se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duhet të angazhohet maksimalisht dhe të ndikojë tek Qeveria që të gjendet një zgjidhje.

“Ministrja duhet të ulet bashkë me ne dhe të ndikojë në dialogun me Qeverinë, sepse ditëve të fundit ministrja po del me disa deklarata që nuk ndikojnë në uljen e tensioneve dhe në krijimin e një atmosfere të besimit”, u shpreh Jasharaj.

Kurse sa i përket “akuzave” që sipas tij ai është i vetmi person që mund ta nis dhe ta mbyll grevën, Jasharaj deklarohet se një gjë e tillë nuk është e vërtetë e as e mundur, sepse çdo vendim arrihet në bashkëpunim me anëtarët brenda sindikatave të cilët po e mbështesin këtë grevë.

“Jam shpallur si ai që mund ta ndal dhe mund ta vazhdoj grevën por nuk jam i vetmi në Këshill grevist e as i vetmi që e përcjellë greven. Grevën e kanë kërkuar pas gjithë angazhimeve për dialog puntorët e arsimit por edhe shërbyesit civil”, u shpreh Jasharaj.

Ndërsa Jasharaj komentoi edhe “ndarjet” e kërkesave mes atyre të SBASHK-ut dhe BSPK-së, ku prononcoi se kërkesat janë të njejta si për mësimdhënësit ashtu edhe për shërbyesit civil.

“Po shoh se po bëjnë ndarjen e kërkesave si për shembull “kërkesa e vetme e SBASHK-ut është 100 euro” kurse të BSPK-së jo. Kërkesat nuk janë të ndara, të gjitha janë të njejta, sepse po thonë për ne që këta vetëm po lypin para”, shtoi ndër të tjera Jasharaj për “Enigmën”.

Ndërkohë për disa shkolla të cilat kanë filluar mësimdhënien, Jasharajt shpreson se vendimet e tilla të ndodhin pa presione e të jenë të lira.

“Në SBASHK ka frymë demokratike, secili mësimdhënës mund ta ndryshoj mendimin, secila shkollë mund ta ndryshoj mendimin por uroj që këto veprime të ndodhin pa presione sepse nëse ndodhin me presione atëherë efekti do të jetë negativ. Ne do të jemi zë i anëtarësisë, sepse si individ as nuk e nis e as nuk e mbyll grevën, cdo gjë ndodh sipas vullnetit të anëtarësisë”, përfundoi Jasharaj. /GAZETAENIGMA/

Related Articles