Distria Krasniqi ende nuk është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë. Por në mungesë të britanikes Chelsie Giles, Distria do të jetë bartëse e parë në Grand Slamin e Parisit, garën më prestigjioze të xhudos.
Luftërat finale në Paris zhvillohen zakonisht para rreth 15 mijë shikuesve. Dhe kjo e bën të veçantë garën në kryeqendrën franceze.
Grand Slami i Parisit mbahet në fundjavë, të shtunën e të dielën. Në krye të ekipit të Kosovës do të jetë kampionia olimpike, Distria Krasniqi. Është pritur që të garojë edhe kampionia tjetër olimpike, Nora Gjakova, por ajo ka hequr dorë për shkak të një shqetësimi në krah.
Pas Lojërave Olimpike në Tokio, Distria ka kaluar nga kategoria deri 48 kg në kategorinë deri 52 kg. Për këtë arsye ende nuk është e para në ranglistë. E para është Giles me 6780 pikë, ndërsa Krasniqi në pozitën e dytë i ka 5870 pikë. Kampionia olimpike dhe botërore, japonezja Uta Abe është e katërta, ndërsa para saj hungarezja Reka Pupp.
Abe, që e dominon kategorinë dhe Giles, nuk garojnë në Paris. Kështu që Krasniqi vlerësohet pretendente për medalje të artë së bashku me francezen Amandine Buchard. Pretendente për medalje janë edhe Pupp, Astride Gneto (Francë), Primo Gefen (Izrael) e ndonjë tjetër.
“Kampionja olimpike, Distria Krasniqi, nuk ka pasur probleme për të kaluar nga kategoria deri 48 kilogramë dhe të sigurojë vend në mesin e më të mirave në 52 kg. Në fakt pesë më të ranguarat në Grand Slam janë nga Evropa, pasi Distria pasohet nga Pupp, Gneto, Gefen e Buchard. Natyrisht fokusi do të jetë te dy francezet, sidomos te e fundit që do të tentojë ta mbrojë titullin e vitit të kaluar”, ka shkruar sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos.
Vjet Distria ishte mposhtur në finale nga Buchard. Distria tashmë është mësuar me atmosferën në “Bercy” të Parisit. Ka pesë medalje nga Grand Slami kryesor i xhudos. Kampione ishte në vitin 2020.
Loriana Kuka e Laura Fazliu po ashtu llogariten pretendente për medalje. Distria e Laura garojnë të shtunën, ndërsa Loriana të dielën. Flaka Loxha garon po ashtu të shtunën.
Turneu i Parisit zhvillohet që prej vitit 1971. Kohë të gjatë është njohur si “Tournoi de Paris” dhe është zhvilluar në arenën “Stade Pierre de Coubertin”. Francezët vazhdimisht kanë mbushur sallën për luftërat e xhudos. Thuajse të gjithë shikuesit e njohin xhudon shumë mirë, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të xhudistëve në Francë dhe kjo e bën atmosferën të veçantë. Atmosfera që krijohet në Paris nuk krijohet në asnjë vend tjetër, sa u takon garave të xhudos.
Kosova ka fituar medalje në Paris që nga viti 2013. Dhe synon vend në podium edhe në edicionin e 52-të të ngjarjes madhore në kryeqendrën e Francës.