Në të hënën që po vjen shënohet “Dita e Forcës”, e me këtë rast Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ftuar qytetarët në të gjitha kazermat e FSK-së ku do të eskpozohen pajisje që dëshmojnë kapacitetet e saj
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me rastin e “Ditës së Forcës”, të hënën e 27 nëntorit, duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 do të organizojnë “Ditën e Hapur”.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se manifestimi qendror do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në Kosovë.
Njoftohet se deklarimi për media i personaliteteve të larta shtetërore, me rastin ekësaj dite, do të bëhet nga ora 11:50-12:10.
“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, Ministria e Mbrojtjes ka ftuar qytetarët të pasqyroni koncertin e bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe – Pallati i Rinisë.