Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta ka pritur në takim Komitetin Paraolimpik të Kosovës dhe organizatën e Studentëve Handicap.
Në të dy takimet, presidentja Osmani ka shprehur mbështetje për këtë kategori dhe ka potencuar se gjithëpërshirja e tyre, punësimi dhe jeta e dinjitetshme janë objektiv i përditshëm.
Sipas Presidentes Osmani, kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie nuk duhet të fokusohet në një ditë të vetme, por gjatë gjithë vitit, prandaj këtë vit do të ndaj 100 mijë euro shtesë subvencione vetëm për organizatat e personave me aftësi të veçanta.
Presidentja Osmani, gjithashtu shprehu gatishmërinë t`i mbështes sportistët paraolimpik, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Paralimpike në Paris më 2024.
Ndërkaq me Studentët Handicap, Presidentja Osmani, ka theksuar se të gjitha organizatat e personave me aftësi të kufizuara do t`i kenë dyert e hapura gjatë tërë vitit për t`i mbështetur ata në mënyra të ndryshme.
Për më tepër, Presidentja Osmani potencoi se qasja në të drejtat dhe liritë themelore, për personat me nevoja të veçanta, duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve.