Në Kosovë është shënuar Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e njohur si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë. Në shënimin e saj, komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur për numrin e ankesave të pranuara në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale
Dyzet e tri ankesa që i referohen mbrojtjes së të dhënave personale dhe 147 ankesa të tjera për qasjen në dokumentet publike ka pranuar Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Komisionerja, Krenare Sogojeva-Demaku, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave, ka thënë se kjo ditë e gjen Kosovën me një agjenci funksionale për qasje dhe mbrojtje të të dhënave personale.
“Për sa i përket numrit të rasteve që Agjencia deri më tani ka trajtuar në kuadër të autorizimeve të veta ligjore, deri më sot kjo agjenci ka pranuar gjithsej 43 ankesa në raport me mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa numri i ankesave që agjencia ka në raport me qasjen në dokumentet publike është shumë më i madh”, ka thënë ajo.
Sipas saj, përfshirë edhe ankesat e pranuara në janar, numri i tyre për qasje në dokumente publike është 147, e që 80 për qind e tyre janë të mbyllura me vendime përfundimtare.
Në anën tjetër, nga Këshilli i Evropës në Kosovë, kanë kërkuar zbatimin e legjislacionit në fuqi. Sipas shefit të këtij këshilli, është me rëndësi ruajtja e të drejtave personale të secilit.
“Është me rëndësi po ashtu që të gjithë të jemi të vetëdijshëm, edhe për të drejtat tona, por edhe për pasojat nëse i ndajmë informatat e tilla të ndjeshme. Kështu që Agjencia ka një rol të rëndësishëm për të ngritur vetëdijen e qytetarëve për këtë çështje”, ka deklaruar Frank Power.
Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e njohur si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë, shënohet çdo 28 janar.