Djali humbi jetën në Gërdec, babai: Atë ditë politikanët festuan hyrjen në NATO

Djali humbi jetën në Gërdec, babai: Atë ditë politikanët festuan hyrjen në NATO



Feruzan Durdaj, babai i djalit 6 vjeç që mbeti viktimë e tragjedisë së Gërdecit ka rikujtuar momentet e tmerrit.

Në një intervistë për Euronews Albania ai tha se momenti që e vrau shpirtërisht ishte kur solli trupin e pajetë të djalit të tij nga Italia dhe pa se politikanët po festonin pasi në atë kohë Shqipëria u fut në NATO.

Ai tha se në atë moment i vuri qëllim vetes që ngjarjen do e ndiqte deri në fund me rrugë ligjore.

“Më thanë se në Tiranë shkuan të gjithë të plagosurit. Kam vajtur në spitalin e ushtarakut për të kërkuar tim bir. Më vjen një telefonat e më thonë e ke te spitali i djegies. Shkova atje, djali nuk reagonte.

Djalin e kam çuar në Itali, llafet e fundit që i mbaj mend tim biri ishin, “babi më dhemb koka, më dhemb barku”. Kaq mbaj mend, në 4 prill djali ndërroi jetë. Ishte një koincidencë e madhe kur ndërroi jetë djali.

E solla djalin nga Italia dhe pash që politika po gëzohej sepse kishim hyrë në NATO. Ishte një vuajtje shumë e madhe nga ana ime shpirtërisht.

Kur fëmija nuk e dinte se ç’ishte baruti, politikanët qeshnin dhe gëzonin se ne po futeshim në NATO.

Nga ajo ditë i vura vetes qëllim që do e ndjek në rrugë ligjore. Kemi hapur një proces dhe do i përgjigjemi deri në fund”, tha Feruzan Durdaj.

Related Articles