Djegia e veturave me targa “RKS”, Hovenier: Qeveria ka përgjegjësi t’i mbrojë qytetarët e saj

Djegia e veturave me targa “RKS”, Hovenier: Qeveria ka përgjegjësi t’i mbrojë qytetarët e saj

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka bërë një reagim pas raportimeve të fundit ku pati djegie të disa automjeteve me targa “RKS” në veri të Kosovës.

Ai u shpreh se SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës.

Diplomati amerikan shkroi në Twitter se “Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”.

Mbrëmjen e së shtunës, Policia e Kosovës lajmëroi se e kishte arrestuar një person për pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Ndërkohë, në orët e hershme të së dielës, 2 prill, një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të zyrtarëve policor në Mitrovicë të Veriut.

Policia njoftoi të dielën se sulmi është kryer rreth orës 2:20 të natës “nga persona deri tani të panjohur”.

Në komunikatë u tha se mjeti shpërthyes i hedhur në rrugën “Ivo LlolaRibar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, dyshohet të jetë shok bombë.

Sipas njoftimit, Prokurori i shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për këtë rast si “sulm ndaj personit zyrtar”.

Related Articles