Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën, përmes një postimi ka theksuar se Qeveria “Kurti”, është duke mbajtur premtimin e dhënë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai tha se kjo gjë do vazhdoj përgjatë gjithë mandatit të tyre, dhe sipas tij do ta luftojnë krimin në çdo cep të vendit kudo që ndodhet ai.
“Që në ardhje të kësaj qeverie jemi deklaruar se do të luftojmë pa kompromis kriminalitetin dhe korrupsionin në vend. Gjatë këtyre muajve kemi publikuar shumë aksione e veprime në kuadër të kësaj lufte për të ndaluar ilegalitetin dhe krimin në vend”, ka shkruar Sveçla.
“Nuk do të kthehemi më aty ku ishim te krimi, korrupsioni e klientelizmi. Do ta luftojmë krimin në çdo cep të Kosovës dhe në secilën skutë kudo ku ndodhet ai”, ka shtuar ai.
Sipas tij, progresi i shënuar në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit nuk është i rastësishëm, por rezultat i lëvizjeve konkrete në terren.
“Shpreh mirënjohjen time për të gjithë akterët institucionalë të angazhuar në luftim të krimit dhe korrupsionit me zotimin që do të mbesim të përkushtuar për bashkëpunim maksimal, që këto suksese të mos stagnojnë dhe që Kosova të bëhet vend i jetueshëm, i qetë dhe i sigurt për të gjithë”, ka shtuar ai.
Sveçla tha se 14 shkurti ka qenë përcaktim i qartë i popullit të Kosovës që vendi të ndërrojë kursin e vlerave dhe orientimeve qeverisëse dhe një gjë e tillë, sipas tij, po ndodh. / Gazeta Enigma.