ZRRE e konfirmon: Në komunat veriore me shumicë serbe nuk do ketë rritje të tarifave të rrymës

ZRRE e konfirmon: Në komunat veriore me shumicë serbe nuk do ketë rritje të tarifave të rrymës

Komunat veriore me shumicë serbe nuk do të preken në rast se merret vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, në bazë të konsumit të energjisë, raporton Gazeta “Enigma”.

Këtë e ka konfirmuar Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka thënë se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin konsultativ për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi ka sqaruar se për procesin gjyqësor që është ZRRE sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.

Sipas Fejzullahut, Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë dhe se gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të rrymë.

“Me kapacitet ekzistuese, prej 1,300MWh ka kaluar në 1,400MWh në periudhën e dimrit, në muajin dhjetor, e që është piku maksimal jo vetëm që nga paslufta, ky është piku maksimal që është arritur në Kosovë. Diferenca e kësaj sasie të energjisë është dashur të importohet me çmim nga 7 here deri në 8 herë më lartë me çmimet e importit në katër vitet e kaluara, e mos të flasim që çmimet e gjenerimit janë 10 herë më të shtrenjta se ai i çmimit vendor”, tha Fejzullahu.

Kurse, kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka pyetur kryesuesin e Bordit të ZRRE-së se kush është autor i këtij raporti për rritjen e tarifave.

Shala po ashtu ka pyetur se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.

“Ka ndërhyrje nga ana e Qeverisë në ZRRE, nuk ka bazë ligjore”, tha Fejzullahu.

Pas kësaj, Fejzullahu tha se autor janë ZRRE dhe Rordi i saj është përgjegjës për këtë raport.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do t’i dërgojnë komentet lidhur me raportin e fundit konsultativ të ZRRE-së.

“Ne do t’i dërgojmë komentet tona. ZRRE është institucion i pavarur. Ta zëmë se unë nuk e kam numrin e kryesuesit të Bordit, mirëpo ministrat e linjës dhe nga Kuvendi i Kosovës do t’i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRRE-së, bazuar në raportin e vet t’i trajtoj sugjerimet”, ka theksuar Kurti. / Gazeta Enigma.  

Related Articles