Dodë Gjergji për Krishtlindjet: Ta rikthejmë shpresën, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë qytetare

Dodë Gjergji për Krishtlindjet: Ta rikthejmë shpresën, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë qytetare

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, ka përcjellë mesazhin për festën e Krishtlindjes 2025, duke ftuar besimtarët dhe të gjithë njerëzit e mirë që, në këtë kohë feste, të ndalen për një çast nga zhurma e botës dhe të dëgjojnë mesazhin e paqes dhe shpresës që vjen nga lindja e Krishtit.

Në mesazhin e tij, imzot Gjergji thekson se Krishtlindja, ndonëse festë e të krishterëve, është thirrje universale për paqe, dashuri dhe shpresë për gjithë njerëzimin.

Ai ka përmendur gjendjen e rëndë globale, luftërat, gjuhën e urrejtjes dhe humbjen e arsyes e të drejtësisë, duke vlerësuar se: “Këto realitete kanë plagosur ndërgjegjen morale të botës dhe kanë dëmtuar shpresën e brezave të rinj.”

Ipeshkvi ka ndalur vëmendjen edhe te situata në vend, duke theksuar se shoqëria nuk është e pafajshme për turbullirat politike dhe ndarjet mes njerëzve. Sipas tij, shpeshherë qytetarët i binden më shumë interesave partiake sesa ndërgjegjes dhe të mirës së përbashkët, duke heshtur përballë padrejtësive dhe pavërtetave.

Në këtë frymë, ai ka bërë thirrje që festa e Krishtlindjes të shërbejë si moment reflektimi dhe pendese, por edhe si nxitje për përgjegjësi qytetare, sidomos në prag të zgjedhjeve pas Krishtlindjes.

Gjergji ka ftuar qytetarët të votojnë me ndërgjegje, për stabilitet politik, përshpejtim të rrugës evropiane, ruajtje të lirisë së besimit dhe bashkëjetesës multireligjioze, si vlera themelore të shoqërisë kosovare.

Ai ka pranuar gjithashtu me përulësi se as vetë nuk ka qenë i përkryer, por ka siguruar besimtarët për përkushtimin e tij baritor dhe lutjet e vazhdueshme për paqen e zemrave dhe jetën shpirtërore të tyre.

Mesazhin e tij, ipeshkvi e ka përmbyllur me fjalët biblike: “Mos kini frikë”,duke theksuar se Krishti mbetet shpresa që nuk zhgënjen, edhe në kohët më të vështira.

Related Articles