Donat Rrudhani ishte surpriza më e bukur e Kosovës në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut, duke bërë një ndeshje në kufijtë e perfektes dhe duke u shfaqur si një rrezik konstant për kundërshtarin në krahun e majtë.
Ndonëse jo në rolin e tij natyral, 23-vjeçari e përballoi me qetësi maksimale mbrëmjen e debutimit të tij me fanellën e dardanëve, teksa pas ndeshjes deklaroi për SuperSport se kjo është padyshim java më e bukur e karrierës së tij.
“Ndjenjë e papërshkrueshme për këtë mbrëmje debutimi, Jam shumë i kënaqur për paraqitjen time, pro edhe atë të skuadrës, pasi ia dolëm të luajmë mirë dhe të marrim fitoren.Kam biseduar me trajnerin dhe ndonëse kisha dy vite që nuk aktivizohesha si mbrojtësi i majtë, doja të sakrifikoja për skuadrën dhe tregova se jam gati që për Kosovën të luaj në çdo pozicion.
Në tre javët e fundit nuk kam luajtur asnjë ndeshje, ndaj në minutën e 70’ isha pak në vështirësi për shkak të ritmit të lartë, megjithatë ndaj Greqisë do të jem në formë akoma më të mirë.Java e fundit ka qenë më e mira e karrierës time, pasi besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur dhe jam shumë krenar që përfaqësoj Kosovën”, u shpreh Rrudhani.