Ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, ka thënë se në takimin që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ata nuk shprehën asnjë kusht për dialogun me Serbinë.
Donfried tha se Kurti e Osmani u shprehën të gatshëm për t’u angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog, duke mos kërkuar asnjë kusht.
“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri për tu angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, tha Donfried në një intervistë eksluzive për T7.
Ajo shtoi se nuk ka njohuri për afate kohore specifike sa i përket dialogut, por se tha nëse ka vullnet nga të gjitha anët, do të ketë lëvizje pozitive.
“Së pari, jam shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë ndjenjën tonë sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. E jetike për të ecur drejt atyre qëllimeve është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive nëse ka vullnet nga të gjitha anët”, tha Donfried.
Donfried ka folur edhe për situatën në Ukrainë dhe rreshtimin e Kosovës krahas vendeve Perëndimore.
Por a mund të sjell një veprim i tillë i Prishtinës njohjen nga Kievi zyrtar?
Donfried thotë se ndihma e Kosovës çmohet, por se kjo nuk është një përgjigje që mund ta thotë ajo.
“Ma merr mendja kjo është pyetje për Ukrainën, por mendoj se roli i Kosovës ndaj Ukrainës është diç që e çmoj dhe nuk befasohem nga ai. Arsyeja përse e them këtë është sepse e kemi parë se si Kosova ka dalë në ndihmë në çastet kur të tjerët kanë pasur nevojë. E këtu gjithashtu dua ta falënderoj Kosovën për rolin që keni luajtur për t’ju ndihmuar afganëve në rrezik. Ky ishte një çast tjetër kur Kosova hapi dyert për njerëzit në nevojë. Ne ishim aq mirënjohës për rolin tuaj dhe mendoj se janë të paktën 600 afganë që janë në SHBA tani dhe po ia fillojnë jetës së re duke iu falënderuar rolit të Kosovës”, tha Donfried.
“Prandaj, dëshiroj ta përgëzoj Kosovën që është në anën e duhur të historisë, qoftë kur ka të bëjë me Ukrainën apo me Afganistanin. E për këtë duhet të ndjeheni shumë krenarë”, shtoi ajo.