Boksierja Donejta Sadiku dhe delegacioni i Kosovës ende janë në pritje të vizave për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet më 14-26 mars të vitit 2023 në New Delhi të Indisë.
Federata e Boksit Amator të Kosovës ka bërë të ditur se dokumentacionin e kompletuar e ka dorëzuar qysh në janar.
“Ndonëse Komiteti Olimpik i Indisë dhe Federata e Boksit të Indisë në bashkëpunim me Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit (IBA) kanë dërguar kërkesën në Ministrinë e Jashtme të Indisë që të pajiset me viza ekipi i Kosovës, ende nuk është duke u pritur përgjigje. Ditët po afrohen dhe më 13 mars ekipi i Kosovës është paraparë të udhëtojë. Po presim përgjigje pozitive”, thuhet nga Federata e Boksit.
Federata e Boksit është shprehur e bindur se Sadiku do të marrë medalje nëse mundësohet pjesëmarrja.
“Duhet cekur se shteti i Indisë kishte refuzuar pjesëmarrjen e boksieres sonë në dy kampionate botërore më 2018 dhe 2019”, thuhet nga Federata.