Universiteti “Kadri Zeka” po kalon një nga periudhat më të trazuara që nga themelimi i tij. Artan Dermaku ka dhënë dorëheqje nga posti i rektorit, ndërsa njëkohësisht është larguar edhe nga pozita e profesorit në universitet. Dorëheqja vjen në një moment kur institucioni është përballur me kritika të shumta për keqmenaxhim, ndërsa raporti i auditimit të Ministrisë së Arsimit ka evidentuar një sërë parregullsish administrative dhe financiare në funksionimin e universitetit.
Sipas burimeve të Qendra.info, raporti i auditimit ka nxjerrë në pah një varg gjetjesh që lidhen me mënyrën e administrimit të universitetit, ndërsa keqmenaxhimi i institucionit ka qenë një nga çështjet që ka dominuar debatin publik gjatë viteve të fundit.
Burime të Qendra.info bëjnë të ditur se Ministria e Arsimit u ka dërguar një shkresë anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke kërkuar që të ndërmerren veprime në përputhje me normat ligjore dhe statutore ndaj përgjegjësve për shkeljet e konstatuara nga auditori. Pikërisht kjo lëvizje, sipas të njëjtave burime, i ka paraprirë dorëheqjes së Dermakut dhe konsiderohet si një sinjal i qartë se Ministria nuk ishte e gatshme të toleronte më keqmenaxhimin e evidentuar në raport.
Nëse ky zhvillim konfirmohet edhe përmes veprimeve të mëtejshme institucionale, atëherë rasti i Universitetit “Kadri Zeka” mund të shënojë fillimin e një qasjeje më të ashpër ndaj rasteve të keqmenaxhimit në universitetet publike. Kjo ngre edhe një pyetje të rëndësishme: A do të vazhdojë Ministria e Arsimit me të njëjtën linjë edhe ndaj universiteteve të tjera publike ku auditimet kanë evidentuar probleme serioze në menaxhim, apo rasti i UKZ-së do të mbetet një përjashtim?
Më 31 korrik 2026, në një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Drejtues miratoi dorëheqjen e tij. Megjithatë, largimi nga detyra nuk i ka shuar dilemat që janë ngritur rreth mënyrës së menaxhimit të universitetit gjatë mandatit të tij.
