Berat Nimani, i cili po kërkohej nga policia gjermane si i dyshuari kryesor për të shtënat pranë Gjykatës Rajonale të Bielefeldit, është dorëzuar para organeve të rendit në orët e vona të së enjtes ose në orët e para të së premtes.
Kjo është konfirmuar për median gjermane “Radio Bielefeld” nga policia e këtij qyteti.
Sipas mediave gjermane, të enjten mbrëma është bastisur një apartament në Bielefeld.
Ndërkaq, gazeta “Bild” raportoi se lajmin për dorëzimin e Beratit para autoriteteve e ka konfirmuar avokati i tij mbrojtës, Peter Wuller.
“Data për dorëzimin e tij ishte aranzhuar paraprakisht me shefin e departamentit të vrasjeve”, tha Wuller për “Bild”.
“Dorëzimi ndodhi në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese”, tha më tej ai.
Sipas avokatit mbrojtës të Beratit, policia ishte pajtuar me kushtet e tij dhe nuk zyrtarët policorë nuk i kanë drejtuar armët Beratit me rastin e dorëzimit.
Berat Nimani pritet të paraqitet para një gjykatësi në gjykatën rajonale të Bielefeldit gjatë ditës së sotme.
“Nuk do të komentojmë mbi akuzat ndaj tij në këtë kohë”, deklaroi më tej avokati Wuller.
Vëllai i boksierit shqiptar, Besar Nimani, i cili u vra në mars të vitit 2023, po kërkohej për katër aktakuza për tentim vrasje.
Vetë Berat Nimani ka mohuar përfshirjen në këtë rast, duke u deklaruar i pafajshëm.
Të mërkurën rreth orës 13:30, teksa në gjykatë po zhvillohej seanca kundër një prej të dyshuarve për vrasjen e Besar Nimanit, katër persona u lënduan nga të shtënat para gjykatës, disa nga të cilët me lëndime të rënda. Dëshmitarët kanë thënë se e kanë identifikuar Berat Nimanin si doras, i cili thuhet se të mërkurën kishte dalë para kohe nga gjykata.
Të shtënat fillimisht erdhën nga një trotuar në “Kreuzs Strase”. Pak më pas, të shtëna erdhën edhe nga një veturë në lëvizje në “Adenauer Platz”. Sipas policisë, të gjithë të plagosurit i përkasin rrethit më të ngushtë të të akuzuarit Huseyn A. Babai dhe vëllai i tij janë në mesin e të plagosurve.