DP: Institucionet vazhdojnë keqpërdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta

DP: Institucionet vazhdojnë keqpërdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta

Demokracia Plus ka dalë me një komunikatë, ku ngre shqetësimin se po vazhdon trendi i institucioneve publike për angazhimin e personave nga jashtë përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), përmes procedurave të prokurimit publik, për detyrat që nuk kërkojnë ekspertizë të veçantë dhe që do të duhej të mbuloheshin nga stafi i rregullt i institucioneve publike.

“Kjo praktikë nuk mund të arsyetohet me mungesën e kapaciteteve, pasi nevojat për staf duhet të adresohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit në përputhje me legjislacionin në fuqi”, u tha në reagimin e Demokracia Plus.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë:

Vazhdon trendi i institucioneve publike për angazhimin e personave nga jashtë përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), përmes procedurave të prokurimit publik, për detyrat që nuk kërkojnë ekspertizë të veçantë dhe që do të duhej të mbuloheshin nga stafi i rregullt i institucioneve publike. Kjo praktikë nuk mund të arsyetohet me mungesën e kapaciteteve, pasi nevojat për staf duhet të adresohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shpallur aktivitetin e prokurimit “Angazhimi i stafit për nevoja të MKRS-së dhe institucioneve vartëse”, me numër të prokurimit 207-26-2738-2-1-1 dhe me vlerë totale prej 133,200.00 €, në kundërshtim me kornizën ligjore që rregullon kontraktimin përmes MShV-ve.

Përmes këtij tenderi të ndarë në katër (4) lote, MKRS ka paraparë angazhimin e katër (4) konsulentëve për këto pozita:

Lot 1 – Konsulent i fotografisë në fushën e Kulturës dhe Turizmit – 36,000.00 €;

Lot 2 – Konsulent për multimedia në fushën e Kulturës dhe Turizmit – 57,600.00 €;

Lot 3 – Bashkëpunëtor i sallës dhe menaxhim i publikut – 19,800.00 €;

Lot 4 – Bashkëpunëtor i sallës dhe menaxhim i publikut – 19,800.00 €;

Sipas Rregullores Nr. 002/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 57.2, dispozitat për kontraktimin e shërbimeve të veçanta aplikohen vetëm për shërbime që nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Ndërsa, sipas nenit 57.4, kontraktori individual (konsulenti) përkufizohet si specialist në një fushë specifike, i angazhuar për të ofruar ekspertizë të veçantë.

Rrjedhimisht, marrëveshjet për shërbime të veçanta nuk mund të përdoren për mbulimin e funksioneve të rregullta institucionale, por vetëm për angazhimin e ekspertëve në raste specifike.

Për të gjitha këto pozita është paraparë një angazhim me orar të plotë pune (40 orë në javë) dhe për një periudhë të gjatë prej 36 muajsh. Kjo tregon se bëhet fjalë për funksione të përhershme institucionale dhe jo për shërbime të përkohshme apo të specializuara, siç kërkohet përmes MShV-ve.

Në këtë formë, përdorimi i MShV-ve po shërben si mekanizëm për të zëvendësuar rekrutimin e rregullt, duke anashkaluar procedurat e konkurrimit të hapur dhe duke cenuar parimet e meritokracisë dhe transparencës në administratën publike.

Demokraci Plus (D+) thekson se ky nuk është rast i izoluar, por pjesë e një praktike të përsëritur në institucione të ndryshme publike, e cila është evidentuar vazhdimisht përmes monitorimeve të organizatës ndër vite.

Prandaj, i bëhet thirrje MKRS-së që të anulojë këtë procedurë dhe të sigurojë që nevojat për staf të adresohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Njëkohësisht, u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për të parandaluar keqpërdorimin e MShV-ve dhe për të siguruar zbatim të drejtë të kornizës ligjore në këtë fushë.

Related Articles