Me dy ndeshjet e ditës së sotme ka përfunduar java e 23-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Prishtina dhe Ballkani u ndanë baraz 2:2 në derbin e madh të kësaj jave, shkruan Gazeta Express.
Pjesa e parë në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan u mbyll pa gola, kurse në të dytën u shënuan plot katër.
Ishte Bujar Pllana i cili kaloi vendasit në epërsi në minutën e 51-të të ndeshjes.
10 minuta më vonë, Endrit Krasniqi shënoi për ta dyfishuar epërsinë e prishtinasve.
Ballkani arriti të ngushtonte epërsinë në minutën e 80-të me një gol të bukur të Nazmi Gripshit.
Një ndërhyrje e palejuar në zonë nga portieri i Prishtinës, Kolaj ia dhuroi një penallti Ballkanit në sekondat e fundit të ndeshjes.
Nga pika e bardhë, i saktë ishte Albion Rrahmani që ia siguroi një pikë klubit suharekas
Me këtë barazim, Ballkani shkon në kuotën e 49 pikëve në vendin e parë, dy më shumë se Drita.
Në anën tjetër, Prishtina mbetet e katërta me 31 pikë gjithsej.
Pa fitues e pa gola është mbyllur ndeshja mes Trepçës’89 dhe Malishevës e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.
Ky barazim nuk i konvenoi asnjërës skuadër, të cilat po luftojnë për mbijetesë.
Aktualisht, Trepça’89 ka 23 pikë në vendin e nëntë në tabelë, kurse Malisheva mbetet e shtata me 25 pikë të grumbulluara.