Përgjegjësi kryesor për qindra masakra në Kosovë është Slobodan Milosheviq.
Por, ish-presidenti i Jugosllavisë dhe Serbisë që ishte i akuzuar edhe për shumë krime të tjera në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, asnjëherë nuk mori verdikt final nga Tribunali i Hagës.
Kjo pasi që Millosheviq, i cili konsiderohet si “kasapi i Ballkanit”, vdiq më 11 mars të vitit 2006 pa pritur përfundimin e gjykimit të tij.
Por, katër vjet para se të vdiste, Milosheviqit ia numëroi në sy një nga një të bëmat e tij shqiptari nga Mitrovica, Halit Barani.
Barani i cili ka pothuajse një jetë që merret me dokumentimin e krimeve të Milosheviqit, u përball për dy ditë me kriminelin serb në dëshminë kundër tij në Hagë.
“Përveç kur kam hyrë në fillim, 5 sekonda e kam shiku drejt në sy sepse ka qenë bukur larg, diku 12-13 metra distancë i kemi pasur mes vete. Kur jam ulë në karrigen ku u dashke me dëshmu, më nuk më ka interesu as nuk e kam këqyrë kurrë. Por, unë përveç që kisha një dhimbje të madhe, kisha edhe një krenari sepse mu dha rasti me i dalë përpara një kryekrimineli dhe me ia thënë në sy para opinionit botëror krimet që i ka bërë mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare. Jam shku me dëshmi, argumente, me tmerrin e dokumentuar çka ka ndodhur në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë sepse atje kanë qenë 15 masakra”, ka deklaruar Halit Barani, dëshmitar në gjykimin kundër Milosheviqit.
Qëndrimi i Baranit në Hagë kishte zgjatur 18 ditë, pasi kaq kohë nevojitej për dorëzimin e sasisë së madhe të dëshmive që posedonte për krimet gjatë viteve të 90-a.
Me hulumtimin e tyre dhe monitorimin e rasteve të gjykimit për këto krime, ka mbi dy dekada që merret edhe Bekim Blakaj, i cili udhëheqë Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Për të është fatkeqësi rasti i humbur për dënimin e Milosheviqit.
“Para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi ka pasur disa procese gjyqësore për krimet e kryera në Kosovë dhe tri nga to kanë qenë kundër zyrtarëve më të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të Serbisë në periudhën 98-99. Një ndër ta ka qenë edhe presidenti i Jugosllavisë në vitin 99, Sllobodan Millosheviq i cili për fat të keq ka vdekur gjatë procedurës para Tribunalit të Hagës. Është fat i keq sepse është lëshuar shansi që të dënohet presidenti i Jugosllavisë në atë kohë, personi më përgjegjës për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Bekim Blakaj, Drejtor i FDH-së në Kosovë.
Deri më tani, me aktgjykime të plotfuqishme nga gjykatat vendore dhe Tribunali i Hagës janë dënuar 71 persona për krimet gjatë luftës në Kosovë, në mesin e tyre serbë dhe shqiptarë.
Pasi nuk u arrit të çohej deri në fund gjyqi kundër Millosheviqit, Tribunali i Hagës ka zhvilluar dy procese gjyqësore ndaj serbëve, ai ndaj Nikolla Shahinoviqit dhe të tjerëve, kurse tjetri ndaj Vllastimir Gjorgjeviqit.
Të gjithë të akuzuarit, përveç Milan Milutinoviq i cili është shpall i pafajshëm, janë dënuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në Kosovë.
Kurse Sasha Cvejtan, ish-anëtar i njësitit “Akrepat”, ishte dënuar nga gjykata në Serbi për masakrimin e 14 civilëve shqiptarë në Podujevë më 1999. Por, shteti serb e kishte liruar atë para kohe.
“Mirëpo ne nga shoqëria civile mendojmë që duke marrë parasysh peshën e rëndë të krimit që e ka kryer, ai nuk do të duhej të lirohej para kohe, pa marrë parasysh çfarëdo sjellje që ta ketë patur gjatë qëndrimit në burg. Kjo tregon një raport të institucioneve të drejtësisë ndaj viktimave. Mendoj se në këtë mënyrë nuk i kthehet dinjiteti viktimave duke liruar para kohe dikë që ka kryer krime të tmerrshme kundër njerëzimit, ndaj civilëve, fëmijë, gra dhe pleq. Mirëpo është për me u brengosë edhe më shumë se për këtë rast, rastet tjera ku organizata të shoqërisë civile, konkretisht Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Serbi ka bërë kallëzime penale dhe prova të mjaftueshme për shumë krime masive që kanë ndodhur në Kosovë ndërsa Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Serbi, pretendon që i ka hetuar këto kallëzime penale dhe ka gjetur që nuk ka bazë për të ngritur aktakuzë”, ka deklaruar Bekim Blakaj, Drejtor i FDH-së në Kosovë.
Numrin e të dënuarve për krime lufte, FDH-ja e vlerëson tejet të vogël. Fondi ka kritika edhe ndaj institucioneve vendore për mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.
“Ne në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë shumë shpesh hulumtojmë data bazën publike, tash është e mekanizmit rezidual për Tribunalet Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi dhe Ruandë. E kanë një databazë, mjafton me kriju një llogari dhe kushdo mund t’i qaset asaj data bazë dhe ka materiale të jashtëzakonshme, të cilat po kam frikë që Departamenti për Krime Lufte pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nuk e shfrytëzon mjaftueshëm, apo në të kaluarën ndoshta nuk e ka shfrytëzuar fare”, ka rrëfyer Blakaj.
Në fund të vitit 2018, misioni i EULEX-it ia barti kompetencat e plota Prokurorisë Speciale të Kosovës për trajtimin e krimeve të luftës. Bashkë me kompetencat u trashëguan rreth 900 lëndë.
E, që nga ajo kohë, PSRK-ja ka ngritur 17 aktakuza, ndaj po aq personave të dyshuar. Kurse vetëm gjatë vitit 2022, janë arrestuar pesë persona.
Ecjen me të shpejtë në trajtimin krimeve të luftës, sipas Prokurorisë Speciale, e pengon mungesa totale e bashkëpunimin e Prokurorinë e Serbisë, e po ashtu edhe numri i madh i lëndëve të trashëguara.
“Ngritja e aktakuzave nuk është aspak e lehtë për një prokuror nga arsyeja se kryesit e këtyre veprave penale nuk gjenden në Kosovë, janë jashtë Kosovës. Për këtë arsye, neve na nevojitet për t’i përdorur të gjitha ato mekanizmat ligjorë të mundshme për sigurimin e pranisë së tyre që nënkupton letër-rreshtime ndërkombëtare të cilat i lëshon Gjykata, mandej pritja nga Interpoli nëse ata do të arrestohen. Me fjalë të tjera, kemi ngritur aktakuza vetëm në raste ku kemi siguruar praninë fizike të të pandehurve”, ka theksuar Drita Hajdari, Udhëheqëse e Departamentit për Krime Lufte.
Për të mundësuar gjykimin e të dyshuarve pa prezencën e tyre, mesin e 2022-s u bën ndryshime ligjore të cilat mundësuan gjykimin në mungesë. Rezultatet e para në këto raste pritet të shihen së shpejti.
“Unë personalisht i kam katër aktakuza për dhunë seksuale gjatë luftës dhe jam në pritje të skadimit të afatit të shpalljes në kërkim në gazetë zyrtare, sepse afati të cilin ligji na ka përcaktuar për shpalljen në kërkim është 6 muaj, dhe jemi në pritje të skadimit të këtij afati prej 6 muaj dhe atëherë në muajin mars, prill mund të priten aktakuzat e para për gjykim në mungesë. Kolegët e mi kanë raste të tjera, ku kanë kërkuar shpallje në gazetë zyrtare”, ka thënë Hajdari.
Me 900 lëndëve që presin të trajtohen, Prokuroria Speciale ka vetëm katër prokurorë të profilizuar për krime lufte.