Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se situata e sigurisë përgjatë vitit 2023 ka qenë e qetë, përveç në pjesën veriore të vendit, ku janë orkestruar sulme nga qeveria e Serbisë.
“Ka disa sulme të kryera gjatë këtij viti nga shteti serb, që na kanë quar deri në këtë konkludim. Protestat, sulmi ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, gazetarëve, qytetarëve, kidnapimi i policëve nga strukturat e policisë serbe me 29 Maj, pastaj sulmi terrorist në fshatin Banjskë. Të gjithë e dimë betejën e Banjskës dhe suksesin e Policisë së Kosovës në ketë sulm”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Sipas tij, në veri ka pasur edhe djegie të automjeteve e sulme ndaj qytetarëve që tentonin të regjiistronin veturat e tyre në targa RKS.
Hoxha e ka prezantuar suksesin e punës së PK-së, i cili përmbledhë 46 mijë raste të raportuara.
Ai ka thënë se gjatë vitit ka paur më pak kriminalitet.
Sipas tij, janë kryer 28 vrasje gjatë këtij viti, 309 lëndime trupore, 2 mijë e 558 vjedhje të rënda, 85 grabitje etj.
“Një fushë që i kemi dhënë rëndësi të madhe sivjet është hetimi i krimeve të luftës, duke e ditur që dëshmitarët mund të vdesin. Kemi munduar të shtojmë dinamikën e hetimeve në këto krime. Kemi 14 raste të ngritura. Janë arrestuar 12 të dyshuar, janë ngritur 22 kallëzime penale,149 persona janë të dyshuar, si dhe 4 raste janë në hetim preliminar”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka përmendur edhe operacionet policore për hetimin e zbulimin e parave të falsifikuara, shpëlarje të parave dhe falsifikim te dokumenteve.