Drenica ka fituar me rezultat 2-0 në udhëtim te Gjilani në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Klubi nga Skenderaj është rikthyer te fitorja pas katër ndeshjeve, pasi ka triumfuar ndaj Gjilanit si mysafir.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, por me të dyja skuadrat që nuk arritën ta tundin rrjetën edhe përkundër disa mundësive.
Në pjesën e dytë, drenicasit ishin më të mirë, më konkret duke shënuar dy gola dhe duke siguruar tri pikë të mëdha.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 81-të me anë të Osman Mëziut, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Ermal Veliqi (86’) vulosi fitoren me rezultat 0-2.
Pas kësaj fitore, Drenica e sheh veten në pozitën e pestë me 15 pikë, ndërsa Gjilani i katërti me 18 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Gjilani luan në udhëtim te Trepça ’89, teksa Drenica e pret Malishevën.