Drita – Differdange, Ramadani: Do isha i kënaqur me një fitore minimale

Drita – Differdange, Ramadani: Do isha i kënaqur me një fitore minimale

Drita do të zbresë në fushë të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” për t’u përballur me Differdange nga Luksemburgu, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës.

Trajneri Zekirija Ramadani e sheh këtë sfidë si një “finale të dytë”, duke u bërë thirrje lojtarëve të tregojnë durim dhe disiplinë në të dyja fazat e lojës.

“Na pret një ndeshje e vështirë. Differdange është ekip i disiplinuar dhe mbrohet mirë. Duhet të kemi qasje profesionale dhe të shfrytëzojmë hapësirat. Do të isha i kënaqur edhe me një fitore minimale, për aq kohë sa nuk pranojmë gola”, u shpreh Ramadani në konferencën për media.

Edhe pse në letër Drita konsiderohet favorite, trajneri ka insistuar se në fushë gjithçka është e hapur: “Favoritë jemi vetëm në letër. Në fushë jemi të barabartë. Duhet ta tregojmë epitetin e favoritit me lojë dhe rezultat.”

Gjilanasit nuk janë në formën më të mirë, pasi pas fitoreve ndaj Differdanges kanë regjistruar pesë humbje rresht, përfshirë edhe disfatën e fundit ndaj Ferizajt në Superligën e Kosovës. Sidoqoftë, Ramadani është optimist se ekipi do të reagojë.

Një mungesë e rëndësishme për Dritën do të jetë ajo e kapitenit Rron Broja, i pezulluar nga UEFA për dy ndeshje pas kartonit të kuq kundër FCSB-së.

Për Ramadanin, arritja në fazën grupore të Ligës së Konferencës nuk do të ishte vetëm sukses sportiv, por një kapitull historik për klubin dhe futbollin kosovar.

“Një kualifikim i tillë nuk është thjesht sukses, është histori. Hera e parë mbahet mend gjithmonë. Duhet të luftojmë për ta shkruar këtë histori”, shtoi ai.

Drita sezonin e kaluar u ndal në plejof nga Legia e Varshavës, një kundërshtar shumë më i madh se Differdange. Këtë herë, shpresat janë që skuadra gjilanase ta bëjë hapin e madh dhe të shkruajë faqen e re të historisë evropiane. 

Skuadra gjilanase ka kujtime të mira nga përballjet e kaluara me Differdangen, të cilin e kishte mposhtur dy herë në korrik – fillimisht 1-0 në Gjilan dhe më pas 3-2 në Luksemburg.

Related Articles