Drita do të zbresë në fushën e blertë sonte për të luajtur prapë në Ligën e Kampionëve.
Kampionia e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Championsit.
Gjilanasit e mposhtën ekipin FC Differdange 03 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë javën e kaluar me rezultat 1:0 në ndeshjen e parë falë golit të realizuar nga Arb Manaj.
E tash, trupa e Zekirija Ramadanit do të mundohet ta ruajë këtë avantazh në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në stadiumin “Stade Municipal de la Ville”.
Drita në fakt do ta kërkojë kalimin në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve për herë të parë, ndërsa kjo është pjesëmarrja e saj e tretë në kualifikimet e Championsit.
Sa i përket kundërshtarit, kjo është hera e parë që Differdange merr pjesë në fazën kualifikuese të garës më prestigjioze të futbollit evropian, ndërsa në edicionin e kaluar mori pjesë në Ligën e Konferencës.
Ndeshja mes FC Differdange 03 dhe Dritës do të nisë prej orës 20:00.