Llapi ka luajtur baras me rezultat 0-0 në shtëpi ndaj Malishevës në kuadër të javës së 21-të në elitën e futbollit kosovar.
Kjo ndeshje u karakterizua me shumë pak raste dhe me një intensitet të ulët, ku të dyja skuadrat po prisnin ndonjë gabim eventual për të sulmuar njëra-tjetrën.
Sfida u zhvillua kryesisht me duele në mesufshë, por asnjëra palë nuk arriti që ta gjejë golin e fitores.
Kur dukej që Llapi tashmë kishte filluar të këndellej pas dy fitoreve ndaj Vushtrrisë në Kupë dhe ndaj Feronikelit ‘74 në kampionat, ata kanë gabuar sërish.
Malishevës në anën tjetër i është ndërprerë një mini seri pozitive e rezultateve pasi dy ndeshjet e fundit në të gjitha garat i kishin fituar.
Pas këtij barazimi Llapi vazhdon të mbetet në pozitën e nëntë në tabelë me 22 pikë të grumbulluara, teksa Malisheva momentalisht pozicionohet e treta me 34 sosh.
Vlen të theksohet se këto dy skuadra do të përballen sërish me njëra-tjetrën në mesjavë, kësaj radhe në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.
Drita ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Suharekës në Gjilan në kuadër të javës së 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Me këtë fitore, ‘Intelektualët’ rikthehen tek rezultatet pozitive në kampionat, pas barazimit me rezultat 3-3 ndaj Prishtinës xhiron e kaluar.
Golin e epërsisë vendasit e gjetën në minutën e 23-të pasi fituan një penallti.
I saktë nga pika e bardhë ishte Besnik Krasniqi i cili realizoi për rezultatin 1-0.
Pjesa e dytë ishte e zbehtë dhe pa raste, megjithatë, Drita ia doli të shënojë edhe golin e e qetësisë.
Autor i golit të dytë ishte Rron Broja i cili shënoi një gol të bukur nga distanca për 2-0 në minutën e 63-të pas një asistimi nga Iljasa Zulfiu.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndonjë ndryshim në rezultat dhe kështu Drita vazhdoi shkëputjen në tabelë duke lënë mbrapa Ballkanin.
Me këtë fitore Drita vazhdon si lider me 47 pikë të grumbulluara, dhjetë më shumë se Ballkani në vendin e dytë që ka 37 sosh.