Drita ndalet nga Trepça ‘89, Ballkani e pëson në sekondat e fundit nga Malisheva

Drita ndalet nga Trepça ‘89, Ballkani e pëson në sekondat e fundit nga Malisheva

Drita është ndalur në një barazim nga Trepça ’89 (1:1), derisa Ballkani ka humbur dy pikë në kohët shtesë nga Malisheva (2:2), në kuadër të xhiros së 28-të në Superligën e Kosovës.

Pavarësisht që shiheshin si favorit, “Intelektualët” nuk arritën më shumë se një barazim ndaj skuadrës mitrovicase.

Drita e nisi për mrekulli duke kaluar në epërsi pas 12 minutave lojë me anë të mbrojtësit Besnik Krasniqi që shënoi nga pika e bardhë.

Sidoqoftë, mysafirët arritën ta barazonin rezultatin me anë të Fazliut që shënoi një gol të bukur.

Drita ishte më dominuese dhe kishte rastet më të mira edhe në pjesën e dytë, por që assesi nuk arriti ta gjejë golin e fitores.

Pas këtij barazimi, Drita vazhdon të jetë lider në tabelë me 56 pikë, derisa Trepça ’89 renditet në pozitën e tetë me 30 sosh.

Në anën tjetër, Ballkani gjithashtu ka lëshuar pikë duke u ndalur në një barazim në shtëpi me rezultat 2:2.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi pasi asnjëra skuadër nuk i finalizoi aksionet e shumta. Vendasit krijuan disa aksione të shpejta, derisa Malisheva provonte me kundërzbritje.

Ishte Van Dave Harmon që shënoi me kokë pas një asistimi të Meriton Korenicës për t’i dhënë epërsinë Ballkanit (60’).

Ndërsa, Edvin Kuc dyfishoi epërsinë me një gol të bukur pas një asistimi të Albion Rrahmanit (86’).

Kur askush nuk e priste, Ballkani pësoi dy gola të shpejtë duke humbur dy pikë. Fillimisht pësuan nga sulmuesi Sobowale (88’), kurse në kohën shtesë Bruqi e shpëtoi Malishevën nga humbja (90+3′).

Pas këtij barazimi, Ballkani vazhdon të renditët në pozitën e dytë me 55 pikë, derisa Malisheva zë pozitën e shtatë me 30 pikë.

Related Articles